Deodorant

nga njoftime.org on 20/11/2011 - 01:13

Etiketa: Opinione

Shpikje e madhe ka qenë ajo e deodorantit: njeriu arriti më në fund ta fshehë ose, më saktë, ta asnjanësojë erën e djersës, të paktën për disa orë rresht: kështu, ai nuk e shqetëson kolegun pranë tij, fqinjin në autobus, në radhë për të paguar faturat e energjisë elektrike apo të telefonit, as mjekun apo dentistin etj., etj. Tejet i domosdoshëm shfaqet deodoranti për çiftin e dashuruar: as ajo, as ai nuk mund ta përfytyrojnë veten pa deodorant jo vetëm vertikalisht, por, veçanërisht, edhe horizontalisht gjatë çasteve të lumtura të intimitetit të tyre më absolut. Rrjedhimisht, djersa ndihet e diskriminuar, e përndjekur, e dëbuar, e internuar; ky lëng kaq thelbësor në marrëdhëniet midis kafshëve (ai i keni parë macet dhe qentë me sa pasion nuhaten gjatë stinës së tyre të dashurisë?), është zhvleftësuar krejtësisht, pra, te raca njerëzore e këtij fillimmijëvjeçari, me gjithë rolin fiziologjik që i ka caktuar Natyra nënë apo Zoti baba duke i dhënë erën e vet karakteristike, madje njeriu modern e rendit atë gati-gati përkrah nënprodukteve të tij fiziologjike si jashtëqitja dhe urina. Nga ana tjetër, në disa mjedise të caktuara po përdoren gjithnjë e më pak shprehjet që e lidhin djersën me punën e ndershme, si "njeri i djersës" (njeri i punës), "derdh djersë" (punoj shumë e pa u kursyer), "e lag me djersë diçka" (punoj shumë për të bërë diçka) dhe "rroj me djersën e ballit" (rroj me punën e me mundin tim): ka shumë të ngjarë që, pas disa dekadash, për dikë që punon shumë, pra që derdh djersë ose që e do punën, të thuhet: "Filani harxhon shumë deodorant" ose "sa shumë qejf që e ka deodorantin filani"! Në këtë mënyrë - gjithmonë pas disa dekadash -, njeriu postmodern, kur të takohet me ndonjë person që bie erë deodorant apo parfum, me shumë gjasë do të mendojë ose do të thotë: "Ja një njeri që e bën natën ditë duke punuar!"; po kështu, kur të takojë ndonjë të afërm apo shok që duket i lodhur, ai mund t'i shprehë shqetësimin e tij duke i dhënë këtë këshillë: "Mjaft edhe ti me tërë këtë deodorant që përdor!". Gjithsesi, punët mund të ngatërrohen nëse shkencëtarëve u hipën në kokë të shpikin deodorantë të një tipi tjetër, si për shembull për ata që duan të fshehin të vërtetën: kështu, nëse sot kur themi apo shkruajmë një gënjeshtër, rrezikojmë që dikush të na demaskojë si gënjeshtarë, nesër, në sajë të deodorantit në fjalë, mund të themi gënjeshtra pa fund dhe askush të mos e kuptojë që po gënjejmë, sepse deodoranti i saposhpikur do t'ua ketë zgjatur aq shumë këmbët gënjeshtrave, saqë nuk do të thuhet më "gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra"! Lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës mund ta përfytyrojë pa pikë vështirësie se sa do t'i shërbente një pjese të mirë të politikanëve tanë - sidomos kur ata vijnë në pushtet - një deodorant i tillë magjik! Por të njëjtin shërbim të çmuar mund t'u bënte deodoranti në fjalë politikanëve tanë edhe kur janë në opozitë duke i ndihmuar në marrjen e pushtetit përmes gënjeshtrave të radhës. Sidoqoftë, shpikja dhe hedhja në tregun e politikës shqiptare e një deodoranti të tillë, me gjasë, do ta ndërlikonte deri diku situatën: meqë gënjeshtrave do t'u zgjateshin këmbët, do të duhej që të zgjatej edhe jorgani i tyre sepse, sidomos kur gënjeshtrat i shtrijnë këmbët përtej jorganit, njerëzit e zgjuar e kuptojnë që politikanët tregohen dritëshkurtër. Në këtë rast do të nevojitej që shkencëtarët t'i viheshin punës për shpikjen e ndonjë deodoranti tjetër të aftë për të fshehur dritëshkurtësinë e politikanëve. Por, një ditë të bukur, edhe kjo mund të bëhet e rrezikshme: nga përdorimi i tepërt i deodorantëve, politikanët tanë do të bëheshin alergjikë ndaj tyre, kështu që, nga sikleti, do t'u binin detyrimisht shtatë palë djersë dhe sqetullat do t'u lageshin aq shumë, saqë nuk do të ishin më në gjendje të mbanin as edhe një gjysmë kungulli nën to.