Ligj Nr. 8055 Date 01.02.1996

Përmbledhja

E publikuar: 25/01/2012

nga Juristi

Fotot

L I G J

Nr.8055, datë 1.2.1996

PER NDRYSHIMET NE LIGJIN NR.7556, DATE 4.2.1992 "PER ZGJEDHJET E KUVENDIT POPULLOR TE REPUBLIKES SE SHQIPERISE"

Në mbështetje të neneve 16 e 17 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKES SE SHQIPERISE

V E N D O S I:

Neni 1

Në nenin 2 paragrafi i dytë ndryshohet si vijon: "Të drejtën për t'u zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor e kanë të gjithë ata që ditën e zgjedhjeve mbushin moshën 18 vjeç, kanë shtetësinë shqiptare, vendbanim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë për një periudhë kohe jo më pak se 6 muaj dhe përmbushin kërkesat e ligjit nr.8001, datë 22.9.1995 "Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike e fetare", si dhe të ligjit nr.8043, datë 30.11.1995 "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik.""

Neni 2

Neni 4 ndryshohet si vijon: "E drejta e zgjedhjes ushtrohet në bazë të listave të zgjedhësve. Zgjedhësit marrin pjesë në votim në atë qendër votimi, në listën e zgjedhësve të së cilës është regjistruar emri i tyre. Të drejtën për të zgjedhur, zgjedhësi e ushtron personalisht dhe vetëm një herë, duke hedhur votën vetëm për njërin nga kandidatët e paraqitur në zonën njëemërore të zgjedhjeve dhe vetëm për njërin nga subjektet elektorale që marrin pjesë në shpërndarjen e mandateve shtesë në shkallë vendi."

Neni 3

Neni 6 ndryshohet si vijon: "Kuvendi Popullor përbëhet nga 140 deputetë, nga të cilët 115 zgjidhen drejtpërdrejt në zona njëemërore, kurse 25 mandatet e tjerë shtesë u jepen kandidatëve që janë në listat e subjekteve në shkallë vendi, në bazë të votave të fituara në raundin e parë, sipas rregullit të përcaktuar në nenin 11." Neni 4

Në nenin 8, pas paragrafit të dytë, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: "Në rastin kur tre ose më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash në raundin e parë, atëherë dy kandidatët që do të marrin pjesë në raundin e dytë caktohen me short; në rastin kur një kandidat ka marrë numrin më të madh të votave dhe pas tij dy ose më shumë kandidatë të tjerë marrin numër të barabartë votash në raundin e parë, atëherë kandidati tjetër caktohet me short."

Neni 5

Neni 10 ndryshohet si vijon: "Subjektet që vënë kandidatë të përbashkët në zonën elektorale, njëkohësisht me paraqitjen e kandidatëve i dërgojnë komisionit të zgjedhjeve të zonës raportin me të cilin duhen ndarë votat e fituara bashkërisht, që do të mblidhen në shkallë vendi. Një kopje e këtij dokumenti i dërgohet Komisionit Qendror."

Neni 6

Neni 11 ndryshohet si vijon: "Mandatet shtesë shpërndahen si më poshtë: a) Nga ndarja e 25 mandateve shtesë fitojnë vetëm subjektet që në shkallë vendi kanë jo më pak se 4 për qind të votave dhe grupimet elektorale të dy partive që kanë jo më pak se 8 për qind të votave. Kur grupimi elektoral përbëhet nga 3 a më shumë parti, kufiri i përqindjes rritet për çdo parti me 4 për qind. b) Llogaritet shuma e votave të vlefshme të hedhura në raundin e parë për mandatet shtesë për subjektet elektorale. Pastaj gjendet shuma e votave të vlefshme të hedhura për secilin nga subjektet që plotësojnë kushtin e shkronjës "a". Numri i votave të vlefshme të secilit prej këtyre subjekteve pjesëtohet me shumën e votave të vlefshme të hedhura për mandatet shtesë dhe thyesa që del shumëzohet me numrin 25 të mandateve shtesë. c) Çdo listë subjekti merr aq vende sa numra të plotë i takojnë nga veprimet e kryera sipas shkronjës "b". Vendet që mbeten pa u ndarë i jepen subjektit elektoral që ka fituar numrin më të madh të vendeve nga zgjedhjet në zonat e zgjedhjeve. ç) Caktimi i fituesve nga lista shumemërore bëhet sipas renditjes së tyre në listë. d) Kur numri i kandidatëve të listës është më i vogël se numri i vendeve që i takojnë asaj, atëherë fitues caktohet kandidati i paraqitur nga subjekti elektoral në njërën nga zonat e zgjedhjeve i cili, midis gjithë kandidatëve të këtij subjekti në zonat e zgjedhjeve që nuk kanë fituar në zonat përkatëse dhe nuk figurojnë në listën elektorale të subjektit përkatës, ka grumbulluar numrin më të madh të votave. Kur ka dy kandidatë të tillë, atëherë përdoret shorti."

Neni 7

Në nenin 13 bëhen këto ndryshime: 1. Në paragrafin e parë fjalët "jo më vonë se 20 ditë" zëvendësohen me fjalët "jo më vonë se 30 ditë". 2. Pas s hkronjës "b" shtohet një shkronjë "c" me këtë përmbajtje: "Kopja e vendimit të Komisionit Shtetëror në bazë të nenit 9 të ligjit nr.8043, datë 30.11.1995 "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik." 3. Shkronja "c" bëhet shkronja "ç".

Neni 8

Paragrafi i parë i nenit 14 ndryshohet si vijon: "Lista me nënshkrimet e zgjedhësve duhet të përmbajë emërtimin dhe siglën e subjektit elektoral që do të paraqesë kandidatin ose shënimin nëse kandidati është i pavarur. Kjo listë duhet të përmbajë, gjithashtu, emrin, atësinë, mbiemrin, adresën, numrin e letërnjoftimit ose numrin e certifikatës me fotografi dhe nënshkrimin e zgjedhësit, i cili duhet të banojë në zonën ku kandidati paraqitet."

Neni 9

Në nenin 15 bëhen këto ndryshime: 1. Paragrafi i parë ndryshohet si vijon: "Kanë të drejtë të paraqesin lista për mandatet shtesë vetëm subjektet elektorale që kanë paraqitur kandidatë në jo më pak se 38 zona zgjedhjeje dhe në 12 rrethe të vendit. Listat për mandatet shtesë mund të përmbajnë deri në 100 kandidatë. Kur grupimet e subjekteve elektorale plotësojnë kushtin e mësipërm, atëherë secila nga partitë politike që bëjnë pjesë në grupim, paraqitet me listë të veçantë elektorale. Listës i bashkëngjitet një kopje e vendimit të Komisionit Shtetëror në bazë të nenit 9 të ligjit nr.8043, datë 30.11.1995 "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik", si dhe deklarata e kandidatëve për pranimin e kandidaturave." 2. Në paragrafin e dytë fjalët "jo më vonë se 20 ditë" bëhen "jo më vonë se 30 ditë".

Neni 10

Neni 16 ndryshohet si vijon: "Komisionet e zgjedhjeve të zonave elektorale, kur janë plotësuar kushtet e këtij ligji, detyrohen të regjistrojnë të gjithë kandidatët për deputetë në Kuvendin Popullor dhe të bëjnë shpalljen e tyre jo më vonë se 25 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, duke shënuar edhe emrin e subjektit që e ka paraqitur. Ato u dërgojnë një kopje të vërtetimit të gjithë kandidatëve të subjekteve elektorale."

Neni 11

Neni 19 ndryshohet si vijon: "Në rast se drejtuesit e organeve lokale të pushtetit, pjesëtarët e organeve të drejtësisë, drejtuesit e organeve të ruajtjes së rendit publik e të Shërbimit Informativ Kombëtar, si dhe ushtarakët e shërbimit aktiv paraqesin kandidaturën për deputetë, atëherë ata lirohen nga detyra 25 ditë përpara ditës së zgjedhjeve."

Neni 12

Neni 21 ndryshohet si vijon: "Listat e zgjedhësve hartohen për çdo qendër votimi. Në listat e zgjedhësve shënohen emri, atësia dhe mbiemri i votuesit, datëlindja e tij dhe numri i regjistrimit. Listat e zgjedhësve në qytete e fshatra hartohen nën përgjegjësinë e kryetarit të bashkisë apo të komunës dhe të sekretarit të këshillit përkatës. Listat e zgjedhësve, pasi nënshkruhen nga personat e mësipërm, i dërgohen prefekturës përkatëse. Prefekti bën konfirmimin e tyre dhe, sipas rastit, zgjidh mosmarrëveshjet në lidhje me to. Listat e zgjedhësve shpallen nga organet që i kanë hartuar jo më vonë se 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Listat e zgjedhësve qëndrojnë në mënyrë të përhershme pranë zyrave të gjendjes civile. Këshilli i Ministrave nxjerr aktet e nevojshme nënligjore për hartimin e saktë e në kohë të listave, si dhe për mënyrën e ruajtjes dhe të administrimit të tyre."

Neni 13

Në nenin 22 bëhen këto ndryshime: 1. Në paragrafin e parë fjalët "jo më vonë se 25 ditë" bëhen "jo më vonë se 30 ditë", dhe fjalët "komitetet ekzekutive pluraliste të përkohshme" zëvendësohen me fjalët "kryetarët dhe sekretarët e këshillave bashkiake ose të komunave" 2. Në paragrafin e dytë fjalët "komitetet ekzekutive pluraliste të përkohshme" zëvendësohen me fjalët "organet e caktuara me këtë ligj".

Neni 14

Në nenin 26, pas fjalëve "listat e zgjedhësve" shtohet "me kërkesë të të interesuarve", dhe pas fjalës "ndodhet" shtohen fjalët "me banim".

Neni 15

Në nenin 27 bëhen këto ndryshime: 1. Në paragrafin e dytë hiqen fjalët "në prani të ankuesit dhe të përfaqësuesit të organeve që ka shpallur listat". 2. Në fjalinë e fundit të paragrafit të dytë shtohen fjalët "dhe zbatohet nga komisioni i qendrës së votimit". 3. Pas paragrafit të dytë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: "Komisioni i zgjedhjeve i zonës me kërkesën e shtetasve, ndërhyn pranë organeve që kanë shpallur listat e zgjedhësve për ndreqjen e gabimeve e të mangësive në këto lista."

Neni 16

Neni 29 ndryshohet si vijon: "Për zgjedhjen e deputetëve të Kuvendit Popullor krijohen 115 zona, me nu mër afërsisht të barabartë zgjedhësish. Zonat duhet të jenë kompakte, me vazhdimësi gjeografike dhe në krijimin e tyre nuk lejohet copëtimi i komunës. Zonat e zgjedhjeve, kufijtë dhe renditja e tyre caktohen nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Këshillit të Ministrave jo më vonë se 45 ditë përpara ditës së zgjedhjeve."

Neni 17

Në paragrafin e dytë të nenit 32 fjalët "komiteteve ekzekutive pluraliste të përkohshme" zëvendësohen me fjalët "të organeve që kanë shpallur listat e zgjedhësve".

Neni 18

Paragrafi i parafundit i nenit 34 ndryshohet si vijon: "Sekretarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të komisioneve të zonave duhet të jenë juristë."

Neni 19

Paragrafi i dytë i nenit 35 ndryshohet si vijon: "Përbërja e Komisionit Qendror vendoset nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Këshillit të Ministrave dhe të partive politike që kanë paraqitur lista elektorale për ndarjen e mandateve shtesë, jo më vonë se 45 ditë përpara ditës së zgjedhjeve".

Neni 20

Neni 36 ndryshohet si vijon: "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kryen kryesisht këto detyra: a) Kujdeset për zbatimin e përpiktë dhe të njëllojtë të këtij ligji gjatë zhvillimit të zgjedhjeve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. b) Ushtron drejtimin metodologjik dhe kontrollon veprimtarinë e komisioneve të zgjedhjeve të zonave. c) Shqyrton ankimet kundër akteve dhe veprimeve të paligjshme e të parregullta të komisioneve të zgjedhjeve të zonave. ç) Regjistron dhe njofton pjesëmarrjen në zgjedhje të partive, grupimeve të tyre dhe kandidatëve të pavarur, si dhe simbolet e siglat e tyre. Asnjë parti ose grupim partish nuk ka të drejtë, pas regjistrimit, të përdorë simbolet e një partie ose grupi tjetër. d) Ushtron kontroll për regjistrimin e kandidatëve në zona për deputetë në Kuvendin Popullor. dh) Vendos rregulla për pjesëmarrjen në zgjedhje të vëzhguesve të brendshëm dhe të huaj dhe u siguron atyre dokumentin identifikues. e) Kontrollon, kur është rasti, listat e zgjedhësve pas përfundimit të zgjedhjeve dhe kur gjen që një shtetas ka votuar më tepër se një herë, ia parashtron çështjen organit kompetent. ë) Njofton përfundimet e zgjedhjeve dhe regjistron deputetët e Kuvendit Popullor. f) I lëshon deputetit të zgjedhur sipas listës partiake në shkallë vendi vërtetimin e zgjedhjes së tij."

Neni 21

Neni 37 ndryshohet si vijon: "Në çdo zonë zgjedhjeje ngrihet komisioni i zgjedhjeve të zonës, i përbërë nga kryetari, zëvendëskryetari, sekretari dhe nga një përfaqësues për çdo subjekt ose grupim elektoral që ka kandidatë në atë zonë, si dhe nga një person pa parti kur numri i anëtarëve të komisionit është çift. Sekretari dhe personi pa parti caktohen nga prefekti, ndërsa kryetari dhe zëvendëskryetari nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Komisioni i zgjedhjeve të zonës emërohet si më lart nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, jo më vonë se 30 ditë para ditës së zgjedhjeve."

Neni 22

Neni 38 ndryshohet si vijon: "Komisioni i zgjedhjeve të zonës kryen këto detyra: a) Kujdeset për zbatimin e përpiktë dhe të njëllojtë të këtij ligji gjatë zhvillimit të zgjedhjeve në të gjithë territorin e zonës. b) Ushtron kontroll mbi veprimtarinë e komisioneve të qendrave të votimit gjatë zhvillimit të zgjedhjeve. c) Mbikëqyr formimin sipas ligjit të qendrave të votimit. ç) Sipas rastit, i kërkon organeve që kanë shpallur listat e zgjedhësve që të bëjnë rregullimin e gabimeve e të mangësive të vërejtura në to. d) Regjistron dhe shpall kandidatët për deputetë të paraqitur sipas rregullave të këtij ligji. dh) Regjistron përfaqësuesit e kandidatëve për deputetë të partive të ndryshme, të grupimeve të partive e të kandidatëve të pavarur dhe u jep atyre vërtetimin përkatës. e) Numëron votat në mbështetje të procesverbaleve të qendrave të votimit dhe shpall përfundimet e zgjedhjeve në zona. ë) Shqyrton ankimet kundër akteve dhe veprimeve të paligjshme ose të parregullta të komisioneve të qendrave të votimit. f) I lëshon deputetit të zgjedhur vërtetimin e zgjedhjes së tij. g) I dorëzon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aktet e zgjedhjeve që përcakton ky ligj."

Neni 23

Neni 39 ndryshohet si vijon: "Në çdo qendër votimi ngrihet komisioni i qendrës së votimit i përbërë nga kryetari, sekretari dhe 1 përfaqësues për çdo subjekt ose grupim elektoral që ka kandidatë në atë zonë, si dhe një person pa parti kur numri i komisionit është çift. Sekretari dhe personi pa parti caktohen nga prefekti, ndërsa kryetari caktohet nga kryesia e komisionit të zonës. Komisioni i zgjedhjeve i zonës miraton dhe s hpall përbërjen e komisionit të qendrës së votimit, jo më vonë se 25 ditë para ditës së zgjedhjeve."

Neni 24

Në nenin 43 hiqen fjalët: "anëtarët e komiteteve ekzekutive pluraliste të përkohshme".

Neni 25

Neni 45 ndryshohet si vijon: "Subjektet elektorale që kanë përfaqësues në përbërje të komisioneve elektorale kanë të drejtë të paraqesin një listë me emrat e personave zëvendësues të tyre. Zëvendësimi bëhet kur këta të fundit janë të paaftë për të kryer funksionet. Zëvendësimi i tyre bëhet në këtë mënyrë: a) Për komisionet e qendrave të votimit, me kërkesë të subjektit përkatës dhe me vendim të komisionit të zgjedhjeve të zonës. b) Për komisionet e zgjedhjeve të zonave, me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve."

Neni 26

Paragrafi i parë i nenit 46 ndryshohet si vijon: "Personat që marrin pjesë në Komisionin Qendror apo në komisionet e zonave të zgjedhjeve shkëputen nga puna kundrejt shpërblimit që ditën e caktimit të tyre, ndërsa ata të komisioneve të qendrave të votimit kanë të drejtë të shkëputen nga puna kundrejt shpërblimit 5 ditë para votimit dhe 2 ditë pas votimit."

Neni 27

Në nenin 50, fjalët "Gjykata e Lartë" zëvendësohen me fjalët "Gjykata Kushtetuese".

Neni 28

Neni 53 ndryshohet si vijon: "Fushata elektorale në Radiotelevizionin shtetëror bëhet në emisione të posaçme për të. Për raundin e parë të zgjedhjeve hapësira e vënë në dispozicion të subjekteve elektorale ndahet midis këtyre subjekteve sipas këtij rregulli: 1. Partive që në zgjedhjet e fundit kanë fituar vende në Kuvendin Popullor u vihet në dispozicion një kohë e përgjithshme transmetimi prej katër orësh, gjysma e së cilës i takon partive të përfaqësuara në Qeveri dhe gjysma tjetër partive joqeveritare, sipas numrit të vendeve në Kuvendin Popullor, por jo më pak se 20 minuta. 2. Të gjitha subjekteve të tjera elektorale, që kanë paraqitur kandidatë për deputetë në jo më pak se 15 zona zgjedhjesh, u vihen në dispozicion 10 minuta. 3. Një ditë përpara mbylljes së fushatës së zgjedhjeve u lejohet të gjithë këtyre subjekteve të bëjnë një përmbledhje të shkurtër të programit të tyre drejtuar elektoratit, deri në 5 minuta. Për raundin e dytë, hapësira e vënë në dispozicion të subjekteve elektorale, në përputhje me rregullin e mësipërm, përgjysmohet. Jo më vonë se 5 ditë pas krijimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, organet drejtuese të Radiotelevizionit Shqiptar duhet t'i dërgojnë atij platformën dhe programin e transmetimeve elektorale që do të vihen në dispozicion të subjekteve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon në Radiotelevizionin Shqiptar emisione për edukimin elektoral të popullsisë, duke përjashtuar qendrimet partiake."

Neni 29

Në nenin 57 fjalët "komitetet ekzekutive pluraliste të përkohshme" zëvendësohen me fjalët "organet lokale të pushtetit".

Neni 30

Neni 61 ndryshohet si vijon: "Kandidatëve për deputetë në Kuvendin Popullor, gjatë fushatës së zgjedhjeve, kur shkëputen nga puna, u ruhet vendi i punës dhe u jepet pagë e plotë, në rastin kur janë në marrëdhënie pune me shtetin dhe nga Komisioni Qendror në rastet e tjera. Nuk u ruhet vendi i punës personave që përcaktohen në nenin 19."

Neni 31

Në paragrafin e parë të nenit 63 fjalët "komitetet ekzekutive... dhe të fshatrave" zëvendësohen me fjalët "organet lokale të pushtetit për njësitë administrative përkatëse".

Neni 32

Në paragrafin e dytë të nenit 64, ora 1800 bëhet ora 2000.

Neni 33

Në nenin 65, pas paragrafit të dytë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: "Kur zgjedhësi nuk ka dokumentin e identifikimit, sipas paragrafit të mësipërm, atëherë ai duhet të kërkojë nga zyra e gjendjes civile e vendbanimit të tij që të pajiset me certifikatë të posaçme votimi."

Neni 34

Neni 67 ndryshohet si vijon: "Votimi kryhet sipas fletëvotimit formular, modeli i së cilës i bashkëlidhet këtij ligji. Fletëvotimet janë të njëjta në formë, madhësi, ngjyrë e përbërje të letrës. Komisioneve të zgjedhjeve të zonave fletëvotimet u jepen në numër 10 për qind më të madh se numri i zgjedhësve të regjistruar në listat përkatëse të zgjedhësve. Fletëvotimi është i ndarë në mënyrë të qartë në dy pjesë. Në pjesën e majtë janë votat për kandidatin për deputet, ndërsa në pjesën e djathtë janë votat për subjektet elektorale. Në pjesën e majtë shënohen: sigla e subjektit, emrat e kandidatëve sipas rendit alfabetik dhe emërtimi i subjektit të cilit i përkasin. Për kandidatët e pavarur shkruhen fjalët "Kandidat i pavarur". Në pjesën e dj athtë shënohen siglat dhe emërtimet e subjekteve elektorale që marrin pjesë në ndarjen e mandateve shtesë me siglën sipas rendit alfabetik të subjekteve."

Neni 35

Neni 68 ndryshohet si vijon: "Pjesa e majtë e fletëvotimit, ku votohet për kandidatin për deputet që zgjidhet drejtëpërsëdrejti në zonë, është e vlefshme kur zgjedhësi le vetëm emrin e kandidatit pro të cilit voton dhe fshin me vizë të gjithë emrat e kandidatëve të tjerë. Pjesa e djathtë e fletëvotimit, ku votohet për subjektin elektoral që merr pjesë në ndarjen e mandateve shtesë, është e vlefshme kur zgjedhësi le vetëm emrin e subjektit pro të cilit është."

Neni 36

Neni 74 ndryshohet si vijon: "1. Fletëvotimet janë të pavlefshme: a) Kur nuk janë sipas kërkesave të formës, madhësisë, ngjyrës, përbërjes së letrës, përmbajtjes, vulosjes, nënshkrimit e përkatësisë së zonës elektorale. b) Kur në fletëvotimin shtohen emrat të tjerë. c) Kur fletëvotimi është prishur aq shumë, saqë nuk kuptohet çfarë shprehet në të. ç) Kur në fletëvotimin janë vënë shkrime ose shenja që bëjnë të mundur të kuptohet identiteti i zgjedhësit. Vlerësimi i votës bëhet nga komisioni i qendrës së votimit. Votat e diskutueshme fillimisht shqyrtohen dhe pastaj vlerësohen. Çdo kundërshtim nga anëtarët e komisionit shënohet në procesverbal dhe këto fletëvotimi ruhen veçmas. 2. Vota për kandidatin për deputet është e pavlefshme kur në pjesën e majtë të fletëvotimit janë lënë pa u fshirë më shumë se një kandidat ose janë fshirë të gjithë kandidatët. Vota për subjektin elektoral është e pavlefshme, kur në pjesën e djathtë të fletëvotimit janë lënë pa u fshirë më shumë se një subjekt ose janë fshirë të gjitha subjektet."

Neni 37

Neni 75 ndryshohet si vijon: "Në përfundim të votimit, vlerësimit dhe numërimit të votave hartohet procesverbali përkatës. Në procesverbal përcaktohen: 1) Numri i zonës dhe i qendrës së votimit. 2) Koha e fillimit dhe e përfundimit të votimit. 3) Numri i zgjedhësve në listën e zgjedhësve. 4) Numri i zgjedhësve në listën shtesë. 5) Numri i votuesve sipas shënimeve të listës së zgjedhësve. 6) Numri i fletëvotimeve të pavlefshme. 7) Numri i votave të vlefshme: a) për çdo kandidat; b) për çdo subjekt. 8) Numri i votave të pavlefshme: a) për kandidatët; b) për subjektet. 9) Numri i fletëvotimeve të nxjerra jashtë përdorimit përpara votimit. 10) Numri i fletëvotimeve të papërdorura. 11) Numri i kopjeve në të cilat është hartuar procesverbali. 12) Vërejtjet e ndryshme të motivuara të anëtarëve e vëzhguesve të veçantë. Të dhënat e pikave nga numrat "3" deri në "11" jepen me shifra dhe fjalë. Procesverbali firmoset në çdo fletë. Çdo korrigjim eventual firmoset duke shënuar fjalën "Korrigjim". Çdo subjekt elektoral ka të drejtë të marrë një kopje të procesverbalit."

Neni 38

Në nenin 76, paragrafi i parë me pikat 1 dhe 2 ndryshohet si vijon: "Komisioni i qendrës së votimit dërgon në komisionin e zgjedhjeve të zonës kopjet e procesverbalit me rezultatet e votimit (të paktën në dy kopje, nga të cilat njëra është për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve), si dhe fletëvotimet, vulat, kutitë e votimit e çdo material tjetër."

Neni 39

Neni 77 ndryshohet si vijon: "Komisioni i zgjedhjeve të zonës nxjerr rezultatin e votimeve mbi bazën e të dhënave të procesverbaleve të qendrave të votimit dhe i shpall ato në formën e një procesverbali, i cili përmban: 1. Numrin e zonës. 2. Numrin e qendrave të votimit. 3. Qendrat e votimit që kanë paraqitur procesverbale. 4. Numrin e zgjedhësve sipas listave të zgjedhësve. 5. Numrin e zgjedhësve në listat shtesë. 6. Numrin e votuesve sipas shënimeve në lista e zgjedhësve. 7. Numrin e fletëvotimeve të pavlefshme. 8. Numrin e votave të vlefshme: a) për çdo kandidat; b) për çdo subjekt. 9. Numrin e votave të pavlefshme: a) për kandidatët; b) për subjektet. 10) Numrin e fletëvotimeve të nxjerra jashtë përdorimit përpara votimit. 11) Numrin e fletëvotimeve të papërdorura. 12) Numrin e kopjeve me të cilat është hartuar procesverbali. 13) Emrin, atësinë dhe mbiemrin e kandidatit që fiton kur duhet të bëhet raund i dytë i zgjedhjeve, emrin, atësinë dhe mbiemrin e dy kandidatëve të parë. 14) Ankimet, vërejtjet dhe vendimet për to. Të dhënat e pikave nga numrat "4" deri "12" jepen me shifra dhe fjalë."

Neni 40

Në paragrafin e dytë të nenit 78 fjalët "komitetin ekzekutiv pluralist të përkohshëm të rrethit" zëvendësohen me fjalët "prefekturën përkatëse".

Neni 41

Neni 79 ndryshohet si vijon: "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall jo më vonë se 10 ditë pas përfundimit të raundit të dytë rezultatet e zgjedhjeve dhe i boton ato në Fletoren Zyrtare. Jo më vonë se 10 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe zgjidhjes së konflikteve të mundshme, të gjitha materialet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe fletëvotimet dhe vulat e mbledhura nga prefekturat dërgohen në arkivin e Kuvendit Popullor. Pas verifikimit të mandateve nga ana e Komisionit të Mandateve dhe Imunitetit të Kuvendit Popullor të legjislaturës së re, Kryesia e tij vendos, pasi merr mendimin e këtij komisioni, në lidhje me afatin për ruajtjen e fletëvotimeve, i cili nuk duhet të jetë më i gjatë se katër vjet."

Neni 42

Neni 80 ndryshohet si vijon: "Mandati i deputetit të Kuvendit Popullor është katërvjeçar, përveçse kur Kuvendi Popullor shpërndahet para afatit në bazë të dispozitave kryesore kushtetuese. Ai fillon ditën e mbledhjes së Kuvendit Popullor në sesionin e parë të legjislaturës dhe përfundon ditën e mbledhjes së Kuvendit të ri. Pas shpërndarjes së Kuvendit Popullor deri në mbledhjen e Kuvendit të ri Popullor, ai mund të rithirret me dekret të Presidentit, me propozimin e Këshillit të Ministrave. Mandati i deputetit të Kuvendit Popullor merr fund, gjithashtu, para afatit në këto raste: a) kur deputeti jep dorëheqjen; b) kur deputeti deklarohet fajtor me vendim të formës së prerë nga gjykata për kryerjen e një krimi; c) kur deputeti refuzon të bëjë betimin e parashikuar në rregulloren e Kuvendit Popullor; ç) kur deputeti humbet të drejtën për t'u zgjedhur për një nga arsyet e përmendura në këtë ligj; d) kur deputeti vdes."

Neni 43

Neni 81 ndryshohet si vijon: "Në rastet e marrjes fund para afatit të mandatit të deputetit, Komisioni i Mandateve të Kuvendit Popullor bën zëvendësimin e deputetit, të cilit i ka marrë fund mandati para afatit, duke zgjedhur ndër kandidatët e listës elektorale të subjektit përkatës elektoral, që nuk kanë përfituar nga shpërndarja e mandateve sipas listës elektorale në shkallë vendi, kandidatin vijues. Kur nuk ka kandidatë të tillë, atëherë ky mandat i jepet kandidatit të paraqitur nga subjekti elektoral në njërën nga zonat e zgjedhjeve, i cili, midis gjithë kandidatëve të këtij subjekti elektoral në zonat e zgjedhjeve, që nuk kanë fituar në zonat përkatëse dhe nuk figurojnë në listën elektorale të subjektit përkatës, ka grumbulluar numrin më të madh të votave. Kur ka dy kandidatë të tillë, atëherë përdoret shorti. Kur një deputet merr përsipër një detyrë tjetër që nuk pajtohet me mandatin e tij, zëvendësimi i tij bëhet duke zbatuar paragrafin 1 të këtij neni."

Neni 44

Në nenin 84 shifrat "100 deri 500" bëhen "10.000 deri 50.000".

Neni 45

Në nenin 85 shifrat "500 deri 1.000" bëhen "50.000 deri 100.000".

Neni 46

Në nenin 86 shifrat "1.000 deri 1.500" bëhen "100.000 deri 150.000".

Neni 47

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

Shpallur me dekretin nr.1358, datë 3.2.1996 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

(Shtojce per Nenin 67) (Per raundin e pare)

FLETEVOTIMI PER ZGJEDHJET E KUVENDIT POPULLOR TE REPUBLIKES SE SHQIPERISE Zona Nr. __________________ Data e zgjedhjes_____________ Qendra e Votimit Nr.__________________

Per komisionine Votimit___________ ____________ _________ (kryetar) (Anetar) (Anetar)

VOTA PER KANDIDATIN PER DEPUTET

Nr. Sigla Kandidati per deputet(Emri, mbiemri atesia,) Subjekti elektoral



















VOTA PER SUBJEKTIN ELEKTORAL

Nr. Sigla Subjekti elektoral















Shenim: Per nevojat e realizimit paraprak, me perjashtim te strukturas se fletvotimit, elementet e tjere te tij mund te ndryshojne.